Promovimi i traditës/ Lukova ju fton në ‘Festën e Ullirit’ më 27 Tetor

195

Përvec se për kombinimin e shkëlqyer mes detit dhe malit, Lukova njihet edhe si një nga zonat më të pasura me plantacione ulliri në vend. Për të promovuar këtë traditë, Bashkia e Himarës dhe GIZ organizojnë më 27 tetor ‘Festën e Ullirit në Lukovë’.

Përmes ‘Turit të Ullirit’, pjesëmarrësit në festë mund të njihen me karakteristikat e varieteteve të ndryshme si dhe të bëhen pjesë aktive të një konkursi për vjeljen e ullirit. Më tej ata mund të ndjekin nga afër procesin e përpunimit të vajit të ullirit dhe ta degustojnë atë. Për të mësuar më shumë mbi vlerat e jashtëzakonshme që mbart ky produkt krahas përdorimit në kuzhinë, pjesëmarrësit do të njihen edhe me produkte të tjera me bazë ulliri si ato të kozmetikës, produkte mjekësore etj. Një vëmendje e vecantë do t’u kushtohet fëmijëve të cilët do të mund të krijojnë mini-instalacione dhe lojëra të ndryshme me tematikën e ullirit, por nuk do të mungojë as muzika dhe kulinaria tradicionale e zonës.

Programi ‘Zhvillimi i Integruar dhe i Qëndrueshëm i Rajonit Bregdetar Jugor” i financuar nga Qeveria Gjermane dhe zbatuar nga GIZ synon ta kthejë këtë festival në një aktivitet të përvitshëm, duke i dhënë një arsye më shumë turistëve që ta vizitojnë Lukovën përtej muajve të verës.