Pse mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës

43

Ekspertët e ushqyerjes thonë se mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës, pasi na ndihmon të përballojmë ditën me më shumë energji dhe të mos jemi shumë të uritur në tryezën e drekës.

Të gjithë e kujtojmë fëmijërinë kur nëna na ndiqte nga pas derisa ne të hanim mëngjesin, e më pas nuk na lejonin të shkonim në shkollë pa ngrënë. Ekspertët e ushqyerjes thonë se mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës, pasi na ndihmon të përballojmë ditën me më shumë energji dhe të mos jemi shumë të uritur në tryezën e drekës.

Ha brenda një ore nga zgjimi

Sa më parë që të konsumojmë mëngjes aq më shpejt aktivizohet metabolizmi. Duke qenë se mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës, atëherë më mirë mos të presim gjatë. Zgjimi dhe konsumimi i sasisë së duhur të proteinave dhe karbohidrateve ndihmon madje që të evitoni zgjedhje të gabuara gjatë ditës. Idealja është konsumimi i mëngjesit brenda një ore nga zgjimi

Mëngjesi ideal

Sipas dietologëve, mëngjesi duhet të përmbajë 20 për qind të totalit të kalorazhit ditor, dreka dhe darka nga 35 për qind dhe 10 për qind vaktet e ndërmjetme. Kur zgjohemi nga gjumi, organizmi ynë për shkak të një “agjërimi” tetëorësh ka një glicemi të ulët, ndërsa e kundërta ndodh me kortizolin. Për këtë arsye, në mëngjes këshillohen ushqimet e ëmbla, të cilat ngrenë gliceminë dhe ulin kortizolin. Ndër ushqimet që nuk duhet të mungojnë në tavolinë janë: lëngu i frutave, mjalti, reçeli, biskotat apo edhe kosi i frutave.