Punësimi i mjekëve/ Shpallen procedurat e pranimit, si do vlerësohen diploma dhe përvoja

13

Ashtu si arsimtarët, edhe mjekët do të punësohen në institucionet publike të shëndetësisë vetëm përmes procedurës së konkurrimit në faqen zyrtare “Mjekë për Shqipërinë”.  Janë publikuar tashmë në Fletoren zyrtare procedurat që do ndiqen për shpalljen e vendeve të punës në institucionet e shëndetit publik, dokumentacioni që duhet të plotësojnë aplikantët, si dhe sistemi i pikëve përmes të cilit do të bëhet përzgjedhja e fituesve.

Kandidatët do të vlerësohen për diplomën, gjuhën e huaj, përvojën në shëndetësi, trajnimet apo kualifikimet e lidhura me fushën, si dhe për intervistën me gojë. Totali i pikëve për këtë vlerësim është 50 pikë, përkatësisht: a) deri në 45 pikë vlerësimi i dosjes; b) deri në 5 pikë vlerësimi i intervistës me gojë.

Dosja e aplikimit përmban: jetëshkrimin e kandidatit (CV),  librezën e punës; diplomën universitare dhe listën e notave. Për kandidatët që kanë studiuar jashtë vendit, diploma e tyre duhet të jetë e njohur nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (e detyrueshme).

Ndërkaq, shpallja e vendeve vakant për mjekë familje/mjekë të përgjithshëm bëhet e grupuar mbi bazë të njësisë vendore të kujdesit shëndetësor  . Shpallja e vendeve vakant mjekë specialistë në spitale/poliklinika dhe qendra shëndetësore bëhet për pozicion sipas specialitetit përkatës.