Qeveria italiane ”fal” borxhin 20 mln euro Shqipërisë, me kushtin që ky borxh do investohet

321

big_iadsa_2

Këshilli i Ministrave ka miratuar sot Vendimin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Konvertimin e Borxhit (IADSA 2) ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Italisë. Marrëveshja e Konvertimit të Borxhit për Zhvillim parashikon mospagimin e detyrimeve që Republika e Shqipërisë i detyrohet qeverisë Italiane kundrejt borxhit të huazuar prej kësaj të fundit (interes + principal), deri në shumën 20 milionë euro. Këto shuma do të depozitohen në 9 këste, në një Llogari Fondi Kundërparti pranë Bankës së Shqipërisë.

Programi i Konvertimit të Borxhit për Zhvillim, është i orientuar në financimin e projekteve të identifikuara bashkërisht nga palët nëpërmjet thirrjeve periodike për propozime, duke pasur si objektiv promovimin e kohezionit social, zhvillimin rajonal të balancuar, barazinë sociale dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Marrëveshja për fazën e dytë të programit – IADSA 2, miratuar në parim nga Këshilli i Ministrave në nëntor 2015, u nënshkrua nga Ministri i Financave z. Arben Ahmetaj dhe Ambasadori i Italisë në Shqipëri z. Alberto Cutillo në 17 qershor 2016.

Në fazën e parë të Programit, janë financuar gjithsej 42 projekte për një vlerë totale prej 15,6milionë euro. 14 projekte janë përfunduar me sukses, 17 projekte janë në zbatim, ndërsa 11 projektet e përzgjedhura nga thirrja e katërt (maj 2016) janë në fazën e tyre fillestare.

Përmes projekteve të finalizuara dhe atyre në fazën përfundimtare të realizimit, është mundësuar rikonstruksioni në mënyrë bashkëkohore i 5 shkollave, 3 kopshteve dhe 3 qendrave sociale në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe rikualifikimi nëpërmjet rrugëve të reja, urave të vogla dhe kanalizimeve nӫ disa bashki tӫ vendit.

Burimi: Ministria e Financave