Qeveria shqiptare blen tekstet mësimore për shkollat shqipe në Serbi

5

Këshilli i Ministrave ka vendosur këtë të mërkurë që të japë një kontribut financiar prej 30 mijë eurosh për tekstet shkollore për shkollat shqiptare në Serbi.

Sipas vendimit të qeverisë, kjo shumë shkon për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi.

Vendimi parashikon dhënien e kontributit financiar, në shumën 30 000 euro ose kundërvlerën e saj në lekë, për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi, për t’u përdorur për blerjen e teksteve shkollore për shkollat shqipe.

Kundërvlera në lekë e kësaj shume transferohet në formën e transfertës në llogari të përfituesit, nëpërmjet Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe përballohet nga buxheti i shtetit për vitin 2020. Kjo nuk është hera e parë që qeveria shqiptare ka ndihmuar me fonde shkollat e popullsisë shqiptare në këtë rajon.