Qytetarët dhe bizneset, gjithçka që duhet të dini për lejet në e-Albania

72

Përmes platformës “e-Albania” qytetarët dhe bizneset mund të pajisen me leje lëvizje dhe autorizim për ushtrim biznesi në kuadër të situatës së krijuar nga COVID-19.

“Leje qarkullimi për nevoja të subjektit” shërben për lëvizjet e automjeteve për arsye pune, sipas specifikave të biznesit. Për transport për stafin me autobusë ose furgona, për të marrë shërbime të ndryshme private apo publike në çdo kohë brenda fashës orare zyrtare: 05:00-17:30, për ato biznese, të cilat ofrojnë shërbim gjatë gjithë 24 orëve”.

Në rastet kur biznesi nuk ka një orar fiks, kjo leje  është e vlefshme, por ju duhet të lexoni me kujdes 3 opsionet e aplikimit në “e-Albania” në mënyrë që të aplikoni për lejen/lejet që i shërbejnë vërtetë biznesit tuaj, sipas profilit që ka, pasi për biznese të ndryshme edhe aplikimi është i ndryshëm.

Në rastet kur ju duhen të gjitha llojet e lejeve për punë në terren, ju mund të aplikoni për të marrë leje në të 3 opsionet, sipas profilit të punonjësve tuaj, duke raportuar të dhënat e kërkuara gjatë aplikimit online dhe arsyet e lëvizjeve.

Ndërsa për të lëvizur për punë nga një qytet në tjetrin duhet që të pajiseni me “Leje qarkullimi për nevojat e subjektit”, e cila parashikon leje edhe për lëvizjet ndërqytetase, nëse biznesi i hapur ofron shërbim në qytete të tjera të vendit.

Punonjësit e administratës mund të aplikojnë vetë për leje, por i duhet të aplikojë dhe titullari për punonjësit duke aksesuar shërbimin nëpërmjet nipt-it të institucionit.

Lidhur me numrin e automjeteve për të cilat ju lejohet të merrni autorizim, platforma ju mundëson që ju mund të merrni autorizim për aq mjete, sa i nevojiten biznesit tuaj për të ofruar shërbim në kushte normale, mjafton të deklaroni listën e automjeteve, të punonjësve dhe të plotësoni arsyet e lëvizjes, gjatë aplikimit.

Aplikimet për leje të përditshme nuk janë të vlefshme, por leja është e vlefshme për 7 ditë nga momenti i aplikimit.

Çfarë ndodh nëse zgjedh një opsion, që nuk lidhet me punën e biznesit tim? Abuzimi me aplikimet për leje duke zgjedhur opsionin që nuk ju përket do të sjellë bllokimin e biznesit tuaj në sistem.

Ky aplikim bëhet vetëm online në platformën e-Albania.

Kjo leje vlen edhe në fundjavë për llojet e biznesit, që ofrojnë shërbim ditën e shtunë dhe të diel.

Në rastet kur punoni në një biznes privat, ju nuk mund të aplikoni si individ në emër të biznesit, por aplikimin për lëvizjen tuaj në këtë shërbim mund ta bëjë vetëm administratori i biznesit përmes llogarisë së tij në e-Albania si BIZNES. Individët janë të përjashtuar nga ky shërbim.

Gjithashtu, platforma “e-Albania” ju mundëson që të merrni një autorizim pa limit, por që të pajiseni me një autorizim të tillë duhet që biznesi juaj të jetë në listën e atyre që ofrojnë shërbim 24 orë, në të kundërt nuk e përfiton.