Realizohet me sukses ndërhyrja komplekse kardiovaskulare te një 75-vjeçar

38
Një ndërhyrje komplekse kardiovaskulare jetëshpëtuese u realizua me sukses, falë bashkëpunimit të shkëlqyer të ekipeve mjekësore ndërmjet Klinikës së Kardiokirugjisë së Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi” dhe Shërbimit të Kirurgjisë Vaskulare të QSUT.
Interventi delikat i kombinuar i revaskularizimit koronar dhe endarterektomisë së arteries karotide interne dexter, rezultoi me sukses të plotë. 75-vjeçari tashmë ka dalë nga spitali dhe është në gjendje të mirë shëndetësore.
Kryeministri shprehu respektin për ekipet mjekësore Prof. Asc. Sokol Xhepa, Dr. Shk. Albi Fagu, Dr. Marsela Sopiqoti, Dr. Ketion Menkshi, Dr. Dervish Hasa, Dr. Marjeta Bilaj, Dr. Anri Gongo, Dr. Nevila Çaushi dhe infermieret Marinela Guri, Gladiola Daci, Eriselda Kiço, Marjola Ozuni.
Dr. Albi Fagu u shpreh se nga ekzaminimet preoperatore pacienti rezultoi me ngushtime të theksuara të artiereve nga të dyja anët, diagnozë që rrit ndjeshëm rrezikun e kryerjes së procedurave kardiake apo vaskulare.
“Falë gatishmërisë për bashkëpunim të ekipit të kirurgjisë vaskulare të QSUT-së arritëm të realizojmë një operacion të kombinuar. Koordinimi i dy ekipeve ishte perfekt dhe kjo rezultoi me një operacion të suksesshëm dhe ecuri postoperatore jo problematike. Nga rikontrolli rutinë rezulton se procedura e kryer ka funksionuar për mrekulli”, tha ai.
Prof. Asc. Sokol Xhepa u shpreh se e veçanta qëndron në faktin se të dyja ndërhyrjet u zhvilluan në të njëjtën kohë te i njëjti pacient, me të njëjtën anestezi.
Sipas tij, është hera e parë që kryhet kjo ndërhyrje e dyfishtë ndërmjet Kirugjisë Vaskulare të QSUT-së dhe shërbimit të Kirurgjisë Kardiake të Spitalit “Shefqet Ndroqi”.
/ata.gov.al