Receta e thjeshtë e humusit me qiqra

88

Humusi është një salcë me bazë qiqrash, shumë e vlerësuar në të gjithë botën!

Kjo recetë tipike e kuzhinës së Lindjes së Mesme, përveçse është e shpejtë dhe e lehtë për t’u përgatitur, është jashtëzakonisht e gjithanshme. Për më tepër, duke qenë shumë ushqyes, i përshtatet në mënyrë të përkryer nevojave të atyre që ndjekin një regjim ushqimor vegan ose vegjetarian.

Humusi mund të shoqërohet në mënyrë perfekte me bukë të thekur, si një meze ose aperitiv, por mund të bëhet edhe një përbërës për receta të ndryshme.

Ndiqni më poshtë recetën e sjellë nga AgroWeb.org, për të mësuar mënyrën e përgatitjes.

Përbërësit
(për rreth 700 g humus)
500 g qiqra të ziera
90 g lëng limoni
70 g tahini (pastë farash susami)
1 thelpi hudhër (sipas dëshirës)
50 g vaj ulliri ekstra i virgjër
Ujë për hollim të masës
Kripë për shije
Piper i kuq ëmbël për shije
Majdanoz për shije
Piper i zi për shije

Përgatitja

Për të përgatitur humusin, fillimisht kullojini dhe shpëlajini qiqrat e gatuara paraprakisht, më pas kalojini në blender. Hidhni në të lëngun e limonit, tahinin dhe vajin e ullirit. Shtoni gjithashtu kripën dhe, nëse dëshironi, një thelpi hudhër të shtypur.

Aktivizoni mikserin dhe përziejini përbërësit derisa të përftoni një masë kremoze dhe të një trajtshme.
Shtoni 2-3 lugë ujë sipas nevojës për të arritur konsistencën e dëshiruar. Nëse dëshironi, në vend të ujit, për të theksuar shijen mund të përdorni pak lëng limoni, vaj ose tahini.

Transferoni humusin në një tas dhe zbukurojeni sipas shijes me piper të kuq, piper të zi, pak vaj ulliri dhe majdanoz të grirë. Humusi mund të ruhet në frigorifer për 3-4 ditë, i mbyllur në një kavanoz hermetik dhe i mbuluar me një shtresë vaji. Ngrirja nuk rekomandohet.

/agroweb.org