Reforma e dytë monetare/ Korrik 1947; si u prezantua monedha e re “Lekë”

145

Më 7 korrik të vitit 1947, Banka e Shtetit Shqiptar emetoi monedhën e re “Lekë”, duke prerë monedhat e reja me vlerë nominale ½ lek, 1 lekë, 2 lekë e 5 lekë, si dhe kartëmonedhat e reja 10 lekë, 50 lekë, 100 lekë, 500 lekë dhe 1000 lekë.

E njohur si reforma e dytë monetare, kursi i këmbimit do të ishte në raport 1 frang baras me 9 lek. Në këtë raport u vlerësuan edhe çmimet e mallrave, shërbimet publike e private, qiratë, pagat e punës, debi-kreditë, të ardhurat e shpenzimet, tatimet e taksat etj.

Qeveria e asaj kohe në korrik të vitit 1947, dekretoi ligji mbi këmbimin e monedhës. Me një urdhëresë të veçantë, brenda 10 ditëve, në datat 11-20 korrik 1947, duhet të këmbeheshin pa kufizim, të gjitha kartëmonedhat e emetuara nga Banka e Shtetit Shqiptar me prerje 5, 20, 100 dhe 500 franga, si dhe disa monedha të emetuara nga ish-Banka Kombëtare e Shqipërisë, që kishin mbetur ende në qarkullim.

Leku është valuta zyrtare e Shqipërisë. Për herë të parë është futur në përdorim nga mbreti Ahmet Zogu në vitin 1924.