Gjatë vitit 2024 do të finalizohet reforma e pagave e ndërmarrë nga qeveria gjatë vitit 2023.
Vendimi “Për miratimin e dokumentit të politikave prioritare 2025–2027”, i botuar në Fletoren Zyrtare, përcakton nivelet e reja të pagave që synohet të arrihen deri në fund të vitit 2024 për punonjësit e administratës qendrore, të pushtetit vendor, mjekët, mësuesit dhe infermierët.
Mbështetur në këtë reformë, synohet që në vitin 2024, paga mesatare në administratën buxhetore qendrore, nga 71.630 lekë aktualisht, të shkojë rreth 107.257 lekë/muaj ose rreth 900 euro/muaj në fund të vitit 2024.
Në vijim të rritjes së pagave të miratuara gjatë vitit 2023, në vitin 2024, parashikohet një rritje e konsiderueshme e pagës së punonjësve në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë, ku punonjësit mësimorë parauniversitarë do të kenë një rritje page në masën 31.3%, rritje e cila do të përcjellë një rritje kumulative për këta mësues në masën 38% ose në vlerë është në masën 28.900 lekë/muaj, duke e çuar pagën mujore nga 75.900 lekë/muaj në 104.800 lekë/muaj.
“Në sektorin e shëndetësisë pagat e mjekëve specialistë janë rritur ndjeshëm duke e çuar pagën mesatare bruto të mjekut deri në 174.000 lekë/muaj. Në vitin 2024, fokusi i reformës në këtë sektor do të jenë pagat për mjekët e familjes dhe infermierët. Në vitin 2023, mjeku i përgjithshëm mori një rritje pagë në masën 7% ose në vlerë në masën 6.000 lekë/muaj dhe për vitin 2024 do të përfitojë një rritje në masën 20.000 lekë/muaj. Rritja kumulative e pagës mesatare të mjekut të përgjithshëm është 25% dhe shkon deri në 131.000 lekë/muaj. Në vitin 2023, infermierët dhe punonjësit e tjerë shëndetësorë morën një rritje pagë në masën 7% ose në vlerë në masën 3.600 lekë/muaj dhe për vitin 2024 do të përfitojë një rritje në masën 15.000 lekë/muaj. Rritja kumulative e pagës mesatare të infermierit është 27% dhe shkon deri në 87.000 lekë/muaj”, thuhet në dokument.
Sipas këtij dokumenti, rritja e pagave për punonjësit e aparatit në njësitë e vetëqeverisjes vendore duke synuar ngushtimin e hendekut që ekziston midis kësaj kategorie dhe nëpunësve të institucioneve qendrore.
Reforma e plotë e pagave , që po vijon nga vitit 2023, e shtrirë përgjatë dy viteve arrin një kosto prej rreth 39 miliardë lekë dhe përfitojnë 130 mijë punonjës.
Politika e pagave lidhet me shumë objektiva të Agjendës 2030 dhe më drejtpërdrejt në kuadër të realizimit të objektivit: “Nxitja e rritjes ekonomike të pandërprerë, përfshirëse dhe të qëndrueshme, punësimit të plotë e produktiv dhe punës së denjë për të gjithë” dhe synimit “deri në vitin 2030, arritja e punësimit produktiv dhe punës së denjë për të gjitha gratë dhe burrat, përfshi të rinjtë/të rejat dhe personat me aftësi të kufizuar, si dhe pagë e barabartë për punë me vlerë të barabartë”.
/ata.gov.al