Rehabilitim i shtresave asfaltike në rrugën Boboshticë-Dardhë

20

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se po vazhdojnë me ritme të larta punimet për riparimin e aksit rrugor nacional Boboshticë-Dardhë.

Sipas ARRSH-së, në kuadër të mirëmbajtjes rutinë, në aksin Boboshticë-Dardhë po kryhet rehabilitimi i shtresave asfaltike, që do të ndikojë në rritjen e sigurisë rrugore dhe lehtësojë lëvizjen e mjeteve sidomos në periudhën e dimrit

Tashmë kjo rrugë përmes përmirësimit të infrastrukturës do të jetë lehtësisht e arritshme dhe do të plotësojë kështu prezantimin e ofertës turistike për vizitorët vendas e të huaj.

Fshatrat Boboshticë dhe Dardhë janë pjesë e Programit të “100 Fshatrave”, i cili synon përmirësimin e infrastrukturës publike, zhvillimin ekonomik nëpërmjet diversifikimit të aktiviteteve ekonomike, si dhe zhvillimin e kapitalit social dhe njerëzor.

Të njohura për ushqimet tradicionale, natyrën e pasur dhe turizmin malor këto fshatra janë atraksione të cilat do të mirëpresin në vijim akoma dhe më shumë vizitorë, me rritjen e strukturave akomoduese, gjatë dhe pas përmirësimit të infrastrukturës publike.

Në këtë kuadër qeveria shqiptare me fokus jo vetëm në akset kombëtare, por edhe në rrugët rurale, synon të sjellë një ndikim të drejtpërdrejtë pozitiv në rritjen e ekonomisë lokale.