Rekord të ardhurash nga turizmi, ja sa milionë euro shpenzuan të huajt

24

Të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga turizmi shënuan një rekord të ri në tremujorin e tretë të vitit. Sipas Bankës së Shqipërisë, turistët e huaj shpenzuan 782 milionë euro në tre muaj, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë në statistikat zyrtare të bilancit të pagesave. Kjo i ka çuar të ardhurat nga turizmi për 9-mujorin e këtij viti në rreth 1.64 miliardë euro, edhe ky një rekord historik.

Turizmi hyrës në Shqipëri po rritet me ritme të larta në vitet e fundit. Mbështetur në statistikat zyrtare, për 10 muajt e këtij viti Shqipërinë e vizituan 5.85 milionë shtetas të huaj, në rritje me më shumë se 8% krahasuar me vitin e kaluar. Rritja e numrit të turistëve po sjell edhe rritje të shpenzimeve të tyre gjatë udhëtimeve në Shqipëri, me përfitime të konsiderueshme për ekonominë shqiptare.