Rekord turistësh në Apoloni; Rritje me 40% e numrit të vizitorëve

0

Ndërkohë që Shqipëria ka tejkaluar shifrën e 10 milionë turistëve në vitin 2023 duke shënuar një rekord historik në turizëm, është shtuar po ashtu edhe interesi i vizitorëve për sitet arkeologjike në vend.

Vetëm gjatë vitit 2023, Parku Arkeologjik i Apolonisë u vizitua nga mbi 82 mijë turistë, duke shënuar kështu një rritje të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë.

Kështu konfirmoi sot për ATSH-në, drejtoresha e Parkut Arkeologjik të Apolonisë, Ornela Durmishaj, ndërsa iu referua statistikave të turistëve për vitin 2023.

Sipas Durmishaj, “të dhënat tregojnë se është rritur me 40% numri i vizitorëve si vendas edhe të huaj, duke regjistruar këtë vit në total 82 200 vizitorë”.

Ajo theksoi se numri i turistëve që vizituan Parkun Arkeologjik të Apolonisë gjatë kësaj periudhe shënon një rritje të konsiderueshme, po të kemi parasysh se gjatë gjithë vitit 2022, Apoloninë e vizituan gjithsej 52 244 turistë.

Duke analizuar statistikat e numrit të turistëve, Durmishaj u shpreh se Parkun Arkeologjik të Apolonisë e kanë vizituar 49 884 të huaj dhe 32 090 shqiptarë.

Sa i përket turistëve të huaj, drejtoresha e Parkut Arkeologjik të Apolonisë tha se “këtë vit numri i vizitorëve nga vendet europiane është shumë i madh”.

“Përqindjen më të lartë të vizitorëve e kanë turistët gjermanë, francezë italianë e spanjollë”, theksoi ajo. Por sipas saj, të shumtë janë edhe turistët çek, polakë e ukrainas, apo nga rajoni si shtetas nga Kosova e Maqedonia.

Një tjetër sit i rëndësishëm arkeologjik në Fier është edhe Parku arkeologjik i Bylisit, ku edhe këtë vit vihet re shtim i numrit të vizitorëve.

Durmishaj bëri të ditur për ATSH-në se në vitin që lamë pas Bylisin e vizituan 5770 vizitorë, një shifër kjo në rritje, krahasuar me vitin 2022 kur u vizitua nga 3701 vizitorë.

“Nga këta 3046 janë të huaj dhe 2724 shqiptarë”, u shpreh Durmishaj për ATSH-në.

Apolonia në Fier është një nga sitet më të mëdhenj të Shqipërisë, por edhe një nga qytetet më të mëdhenj në botën antike. Si një nga 27 Apolonitë e pellgut të Mesdheut, ajo është një nga vlerat e perlat e trashëgimisë tonë arkeologjike.

/ata.gov.al