Restaurohet një tjetër banesë monument kulture në Berat

19

Banesat karakteristike beratase janë gjithnjë e më shumë në vëmendjen e specialistëve të monumenteve të kulturës.

Punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Berat po punojnë gjatë këtyre ditëve për restaurimin e banesës së Llazar Zanati, lagjja Goricë.

Në këtë banesë ka përfunduar faza e riparimit të frontonit me material drusor, streha dhe qeramosja me tjegulla vendi.

Muratura e gurit në pamjen veriore të banesës kishte disa çarje në muraturë dhe degradim të materialit lidhës (llaçit). Punimet do të vijojnë me injektime, konsolidime të muraturës së gurit dhe aty ku është e nevojshme, do të ketë zbërthime të pjesëve të murit me teknikën shqep-qep.

Gjithashtu banesa do të trajtohet edhe me ndërhyrje të tjera restauruese sipas projektit të hartuar nga specialistët e DRKK Berat dhe të miratuar nga institucionet vendimmarrëse.

Pamja fillestare e kësaj banese ka qenë me çardak në gjithë ballin e saj dhe me një arkitekturë interesante.

Kjo banesë sot gëzon statusin juridik monument kulture, kat. II, në lagjen Goricë, e cila është në proces restaurimi falë bashkëpunimit të DRKK Berat me CHWB Albania.