Restaurohet Ura e Golikut, monument kulture i kategorisë së parë

201

Ura e Golikut, mbi lumin Shkumbin, ndërtuar mbi gjurmët e rrugës së vjetër “Egnatia” është një ndër 33 kantieret e restaurimit e cila po rijetëzohet

Ura e Golikut në lumin Shkumbin, pjesë e rrugës Egnatia, mbetet një atraksion turistik sidomos për të apasionuarit pas trashëgimisë kulturore. Ajo ndodhet në zonën e Mokrës, 40 km larg qytetit të Pogradecit mbi lumin Shkumbin në fshatin Golik.

E klasifikuar si monument kulture i kategorisë të parë, Ura e Golikut është ndërtuar në shekullim e XVII. E gjatë 17 metra, e gjerë 3 metra dhe 10 metër e lartë, kjo urë ka qenë pjesë e rrugës Egnatia. Ura gjendet në Selcën e Poshtme në dalje të fshatit Golik. Rruga, e cila të çon tek ura është në gjendje normale dhe e gjitha e asfaltuar. Ndërkohë afërsia me ujin dhe malin ofron një peizazh mahnitës për këdo që do të ndjekë itinerarin e vjetër të rrugës Egnatia.

Ura është ndërtuar me gurë të gdhendur, ku bie në sy pjesa e poshtme e qemerit e cila ka gurë të mëdhenj dhe të punuar mirë, kjo jo thjesht për estetikë, por për ta bërë strukturën më solide dhe më të fortë. Pogradeci dhe zona afër tij, kanë qenë vendbanime të rëndësishme në lashtësi. Kjo trevë ka qenë e banuar nga fiset Ilire mbi 2000 vjet para lindjes se Krishtit.

Gjurmë të kësaj lashtësie gjenden afër Buqezës, ku ndodhen disa palafite prehistorike të ndërtuara mbi sipërfaqen e ujit. Po në këto zona janë dhe varret monumentale të Selcës së Sipërme dhe zbulimet e tjera arkeologjike, që flasin për një rajon tepër të zhvilluar në lashtësi. Këtu ka jetuar dhe është varrosur edhe mbreti ilir Klit. Sipas burimeve të antikitetit, kjo zonë ka qenë e banuar nga fiset Ilire të Enkelejve dhe Desaretëve.