Retro Albania mirëpret turin e madh të mjeteve klasike nga Belgjika

7

Retro Albania mirëpret turin e madh të mjeteve klasike nga Belgjika, ‘TourAmical’, i cili këtë vit ka përzgjedhur Tiranën si një prej vendtakimeve kryesore të të apasionuarëve dhe nostalgjikëve të “mjeteve me shpirt”.

Forma legjendare dhe modele epike të ndërthurura në 265 makina klasike, zbarkojnë më 13-16 maj, në Sheshin Italia për të sjellë në kryeqytetin shqiptar një atmosferë tipike Retro.

Nën filozofinë e përjetimit të një udhëtimi të paharrueshëm në timonin e makinës me një atmosferë të këndshme dhe miqësore, ‘Tour Amical’ zhvillon edicionin e 19 të tijin me destinacion Sofje – Prishtinë – Shkup – Tiranë – Budva – Dubrovnik.

Edicioni i 19-të i ‘Tour Amical’ do të zbulojë perlat e panjohura të Ballkanit. Ata shprehen se rrugët e mrekullueshme përmes Bullgarisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kroacisë lidhin qytete historike, si dhe destinacione të reja. Vendet e Ballkanit ofrojnë një gamë të gjerë peizazhesh të larmishme dhe rrugë spektakolare. Këto vende shfaqin trashëgiminë e një të kaluare të pasur dhe plot ngjarje, por janë gjithashtu në rritje në turizëm.

‘Tour Amical’ e cilëson Tiranën si një qytet po aq të këndshëm sa Berlini, rrënojat dhe historitë po aq magjepsëse sa ato të Romës, kafenetë dhe baret, komode si në Amsterdam dhe çmimet, edhe më të favorshme se Krakovi. Për ta Tirana është xhekpoti!

Ata gjithashtu shprehen se, Shqipëria është një vend në zhvillim, e cila vihet re mjaft mirë në Tiranë, çka na jep idenë se çfarë na pret më tej në Shqipëri. Një përzierje e pasur kulture dhe modernizimi me shije, të cilat krijojnë një atmosferë të këndshme.

Retro Albania fton të gjithë retroistat për të shijuar koleksionin e mjeteve klasike të ‘Tour Amical’ e për të shkëmbyer eksperiencat e përbashkëta si komunitet.

/ata.gov.al