Revista Forbes speciale për kombëtaren e Dardanëve: Shkruan historinë

112

Suksesi historik i Kosovës në Ligën e Kombeve ka kaluar çdo kufi. Triumfi në grupin 3 të Divizionit D ka marrë jehonë dhe në mediat botërore, me prestigjozen amerikane “Forbes” që e ka cilësuar Kosovën si suksesin më të madh të Ligës së Kombeve.

Për një skuadër të vogël ky mund të jetë momenti më i madh në historinë e futbollit të tyre. Historia e Kosovës në futbollin europian daton vetëm në vitin 2016, prandaj fitorja e së martës 4-0 ndaj Azerbajxhanit është triumfi më i mirë i tyre. Shteti që u shpall i pavarur nga Serbia në vitin 2008, luftoi gjatë dhe shumë për t’u pranuar me të drejta të plota në UEFA. Tashmë ata kanë shans të mirë për t’u kualifikuar në Euro 2020”.

“Një nga problemet e Kosovës ishte bindja e lojtarëve më të mirë kosovarë që të luajnë për Kosovën, sidomos atyre që vijnë nga diaspora,”-shkruan Forbes, duke dhënë shembullin e vëllezërve Xhaka, ku Taulanti u paraqit për Shqipërinë, ndërsa Graniti për Zvicrën në përballjen në Kampionatin Europian 2016. Aty përmendet edhe Xherdan Shaqiri i Liverpoolit dhe anëtari i Real Sociedadit, Adnan Januzaj.

Në shkrim thuhet se shumica absolute e lojtarëve të Kosovës janë rritur jashtë vendit, duke përmendur këtu heroin e mbrëmjes të së martës, Arbër Zenelin, që realizoi hat-trick, dhe yllin e Werder Bremenit, Milot Rashica.