Rikonstruktohet qendra shëndetësore e Cakranit në Fier

787

Një bashkëpunim midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) bëri të mundur rehabilitimin e qendrës shëndetësore Cakran, Fier, e cila ofron shërbim 24 orësh dhe i shërben rreth 15 mijë banorëve të kësaj zone por edhe 3 njësive administrative përreth.

Pas financimit prej rreth 70,000 Euro nga Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, godina e Qendrës Shëndetësore të Cakranit është rikonstruktuar tërësisht. Gjithashtu qendra u pajis me mobilie: tavolina, rafte, dhe stola pritjeje për pacientët.

Mjekët janë pajisur me “çantën e doktorit”, e cila përmban instrumentet bazë të shërbimit mjekësor, si stetoskop për fëmijë dhe të rritur, puls oksimetër, glukometër, çekiç neurologjik, stetoskop fetal, etj, si dhe janë trajnuar për përdorimin e tyre. Kjo ka bërë të mundur që mjekët të menaxhojnë dhe parandalojnë më mirë gjendjet akute, duke ofruar shërbimin në kohë dhe me cilësi për pacientët e kësaj zone.

Projekti ‘Shëndet për të Gjithë’ ka trajnuar ekipin e mjekëve dhe infermierëve të qendrës për menaxhimin e rasteve, përdorimin e kompjuterëve, e-mailit, dhe internetit, si dhe ka trajnuar drejtorin e Qendrës mbi menaxhimin shëndetësor dhe ekonomistin mbi financat shëndetësore, buxhetimin dhe prokurimet.

Qendra shëndetësore e Cakranit ofron shërbim shëndetësor parësor 24 orësh, duke u fokusuar në Mjekësinë Familjare, nëpërmjet një stafi prej 5 mjekë familjeje dhe 23 infermierë që punojnë në këtë Qendër dhe në 13 ambulancat e fshatrave, me disa lloje shërbimesh.

Burimi: Shqip.com