Rindërtimi i shkollës dhe kopshtit “Iliria”në Fushë-Krujë, mjedise të reja për 156 nxënës

3

I dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 Nëntorit të 2019-tës, ky objekt arsimor është rindërtuar nga e para në kuadër të investimit prej 1 milion euro të qeverisë kroate, si pjesë e Fondit të Mbështetjes për Rimëkëmbjen e Arsimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe zbatimit nga PNUD.

156 nxënës dhe 14 punonjës mësimor e kanë nisur vitin shkollor 2022-2023 në mjedise tërësisht të reja, të cilat janë rindërtuar sipas dy parimeve themelore “Rindërtojmë më mirë dhe Rindërtojmë së bashku” me struktura më të qëndrueshme e më të sigurta; burime të rinovueshme energjie; akses të lartë për personat me aftësi të kufizuara; laboratorë modernë, palestër, fushë sportive; hapësira të dedikuara për kujdes mjekësor e mbështetje psikologjike; angazhimin e nxënësve, prindërve dhe komunitetit në konsultime për ta sjellë projektin sipas nevojave të tyre, në kuadër të parimit “Rindërtojmë Së Bashku” etj.

Të pranishmit në këtë vizitë ndërvepruan dhe bashkëbiseduan me nxënësit edhe në kuadër të aktivitetit të tyre “I Love My School”, që reflekton mundësitë e reja që ofrojnë tashmë shkolla dhe kopshti me standardet më të larta të mësimdhënies e mësimnxënies.

Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP në Shqipëri, Monica Merino tha se, “Shkolla dhe kopshti “Iliria” përfaqësojnë shpresë, qëndrueshmëri dhe progres për komunitetin. Jemi mirënjohës ndaj kësaj mbështetjeje strategjike të qeverisë kroate, e cila na ka ndihmuar të ndërtojmë një objekt arsimor të qëndrueshëm dhe me aksesueshmëri të lartë për fëmijët dhe komunitetin e Fushë-Krujës”.

Nëpërmjet partneritetit strategjik të qeverisë kroate dhe UNDP, rreth 4260 banorë të komunitetit do të jenë përfitues të këtij investimi “smart” për të ardhmen!

/ata.gov.al