Ripërdorimi i mbetjeve të ngurta, Shqipëria pjesë e platformës dixhitale

60

Projekti platforma dixhitale për ripërdorimin e mbetjeve të ngurta për Ballkanin (S.W.A.N) është një projekt, i cili aktualisht po zbatohet në vendet e Ballkanit: Shqipëri, Greqi, Qipro dhe Bullgari me një vlerë prej 968.000 euro.

Ky projekt është i bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian dhe Fondet Kombëtare të vendeve pjesëmarrëse.

Projekti synon të zhvillojë një Platformë Interaktive Teknologjie dhe Informacioni midis vendeve të Ballkanit dhe pellgut të Mesdheut, e cila do të krijojë dhe do të menaxhojë lokalisht midis vendeve pjesëmarrëse, një zinxhir vlerash për mbetjet e ngurta të parrezikshme.

Në këtë mënyrë do të promovohet ekonomia e gjelbër brenda një ekonomie rrethore, për të na çuar në një shoqëri me zero mbetje.

Qëllimi final i projektit është: të reduktojë ndotjen e ambientit nëpërmjet devijimit të volumit të mbetjeve të ngurta jo të rrezikshme të cilat groposen apo depozitohen, të reduktojë sasinë e importeve të lëndëve të para dhe të reduktojë kostot për industritë, të pakësojë gazrat serrë (GHG).