Rrëfehet 23-vjeçarja shqiptare që fitoi zgjedhjet në Belgjikë: Ëndërroja që fëmijë…

130

Historia e saj është frymëzuese për të gjithë të rinjtë, është një histori suksesi. Edhe pse është vetëm 23 vjeç, ajo ka fituar të drejtën për të qenë pjesë e Asamblesë në qytetin e Roeselares, në Belgjike, ku jeton prej 20 vitesh me familjen.

Bëhet fjalë për Deniza Miftarin, e cila është kryetare e të rinjve të Partisë së Gjelbër. Ajo  ka rrëfyer historinë e saj.

“Kam filluar shumë herët. Më kujtohet që informohesha për të drejtat e mia si fëmijë dhe nëse kishte të drejtë mami me babin të më qortonin. Ne kemi emigruar kur unë kam qenë 3 vjeç, për shkak të luftës në Kosovë. Fushata ka qenë intensive, në atë kohë humba edhe babain. Pasi bëmë varrimin e tij në Kosovë, të nesërmen kam patur mbledhje dhe më mungoi mbështetja e tij dhe shumë herë dyshoja se mund t’ia dilja. Por e pashë që dashuria e tij më dha forcë të vazhdoj. Tek partia jonë ishte e rëndësishme të takonim personat të cilët nuk votonin për ne dhe trokisnim në çdo derë dhe pyesnim qytetarët se çfarë do donin të ndryshonin. Pasi fitova u ndjeva e lehtësuar.

Babai ka qenë fansi im më i madh. Ai shpesh merrte kritika nga shqiptarë të tjerë të cilët i thonin të mos më lejonte vonë nëpër mbledhje apo evente. I thoshin se do të humbte kontrollin mbi mua. Por ai aty ku të tjerët shihnin rrezik, ai shihte mundësi. Jam shumë me fat për këtë dhe ia kam dedikuar të gjitha atij, sepse nëse prindi nuk të mbështet asgjë nuk mund të arrish”, tha Deniza Miftari.

Ajo u angazhua që në shkollë të mesme me politikë, edhe pse jo drejtpërdrejt në një parti. Ishte anëtare dhe më pas kryetare e Këshillit të Studentëve. Prej 3 vitesh, ajo është kryetare e bordit të studentëve të fakultetit, i cili është i përfaqësuar në 6 qytete të ndryshme.