“Rrëfenjë me ndërkombëtarë”, Ylljet Aliçka tashmë edhe në gjuhën italiane

175

“Rrëfenjë me ndërkombëtarë” romani i shkrimtarit Ylljet Aliçka tashmë mund të lexohet dhe italisht. Vepra nën përkthimin e Elio Mirakos dhe Amik Kasoruhos është botuar nga shtëpia botuese “Rubbettino”. Në prezantimin e daljes së librit botuesi shkruan: “Diplomatët në karierë – Një komedi e hidhur dhe një ironi thumbuese”.

Selia e një përfaqësie diplomatike ndërkombëtare në Shqipëri, menjëherë pas rënies së komunizmit; një ambasador i dëshpëruar, për shkak të tradhtisë të së dashurës së tij të re; disa atashé, me kombësi të ndryshme, që bëjnë luftë bërrylash cili të dalë në krye. Dhe një, nënpunës i ri shqiptar, që vëzhgon paternalizmat, zilitë, karrierizmat dhe hipokrizitë e këtij cirku të larmishëm.

Romani “Rrëfenjë me ndërkombëtarë” i shkrimtarit Ylljet Aliçka është botuar në shqip nga Botimet Toena në vitin 2009. Ndërkohë, ai është përkthyer dhe botuar edhe në Francë dhe në Norvegji dhe është në proces botimi në Egjipt.