Rreth botës me biçikletë, mbërrin edhe në Tiranë

105

Jacky Chen, një inxhinier elektrik nga Tajvani, prej tre vitesh e gjysmë shëtit globin me biçikletë.

Jacky mbërriti mbrëmjen e Krishtlindjes në Shqipëri, pasi kishte vizituar më parë Malin e Zi dhe Kroacinë. Ai kishte kaluar natën në çadër tek Parku Rinia dhe gëzohet kur mëson se ndërtesa pas krahëve të tij merr emrin nga vendlindja e tij.

Ai përdor disa aplikacione për të gjetur vendas që i ofrojnë akomodim në qytetet që viziton.

Edhe pse ka kaluar vetëm pak kohë në kryeqytet, atij i pëlqen shumë Tirana, ngjyrat e qytetit dhe mikpritja e njerëzve.

Çdo ditë ai përshkon rreth 100 kilometra, ndërsa tërheq nga pas mbi 100 kilogramë plaçka.

Atë e pret një rrugë e gjatë, por është i lumtur që ka hyrë në listën e aventurierëve që kanë ndërmarrë një udhëtim të tillë. Jacky Chen e nisi aventurën e tij nga Alaska në vitin 2016 dhe shpreson të mbërrijë në shtëpi në vitin 2021.