Rritet me 21% prodhimi i energjisë, shifrat për tremujorin e parë të vitit

10

Prodhimi i energjisë elektrike në vend u rrit në tremujorin e parë të vitit, në vijimësi të luhatjeve të zakonshme vjetore, të lidhura me prurjet hidrike. Sipas të dhënave nga Instat, për tremujorin e parë të vitit, prodhimi arriti në 1546 GWh, në rritje me afro 21% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në tremujorin e parë, impiantet private dhe koncesionare prodhuan një sasi më të madhe energjie krahasuar me ato publike. Ky është tremujori i dytë që HEC-et private prodhojnë më shumë se ato publike, ndërsa për herë të parë kjo kishte ndodhur në tremujorin e dytë 2019. Sipas Instat, prodhuesit privatë kontribuan me 52% të energjisë totale të gjeneruar në vend. 0.4% e prodhimit total erdhi nga energjia diellore, ku investimet kanë filluar të japin rezultatet e para në prodhim, pas dekadash varësie të plotë nga burimet hidrike.

Instat bën të ditur se për tremujorin e parë u eksportuan mbi 346 GWh energji, katër herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.