Rritja ekonomike u ushqye nga zgjerimi i konsumit dhe i investimeve private

10

Ekuilibrat ekonomikë dhe financiarë të vendit kanë ardhur në përmirësim, ndërkohë që inflacioni ka shënuar rënie edhe më të shpejtë se pritjet e bankës qendrore.

Aktiviteti ekonomik në vend ka vijuar të rritet. Rritja ekonomike është ushqyer nga zgjerimi i konsumit dhe i investimeve private, nga rritja e eksportit të shërbimeve, si dhe nga përshpejtimi i ritmit të realizimit të shpenzimeve publike. Zgjerimi i tyre është mbështetur nga rritja e të ardhurave të disponueshme të familjeve, nga bilancet e shëndosha financiare të bizneseve, nga ambienti ende stimulues financiar, si dhe nga pritjet pozitive për të ardhmen.

Kërkesa solide për mallra e shërbime e mban ekonominë në një fazë pozitive të ciklit të biznesit. Kjo ecuri vuri në dukje Guvernatori, është pasqyruar në rritjen e vazhdueshme të punësimit, në rënien e papunësisë, si dhe në rritjen e shpejtë të pagave.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, punësimi në ekonomi u rrit me 0.6% në tremujorin e katërt të vitit 2024, pagat në sektorin privat u rritën me 11.6%, ndërsa norma e papunësisë qëndroi pranë minimumeve historike, në nivelin 10.7%.

Tregjet financiare paraqiten të qeta, të karakterizuara nga likuiditet i bollshëm, prime të ulëta rreziku, qëndrueshmëri e normave të interesit dhe e kursit të këmbimit, si dhe rritje e mëtejshme e kredisë për sektorin privat që shënoi 10.6% më shumë në muajin janar 2024, duke vijuar trendin pozitiv të muajve të fundit.

“Përditësimi i parashikimeve rikonfirmon pritjet tona për rritjen e mëtejshme të ekonomisë dhe sugjeron stabilizimin e inflacionit rreth objektivit tonë gjatë vitit 2024 e në vijim. Rritja ekonomike do të vazhdojë të gjejë mbështetje në shëndetin financiar të sektorit privat, në dinamikat pozitive të tregut të punës, si dhe në një ambient të qëndrueshëm financiar. Ajo do të nxitet nga rritja e konsumit familjar, e investimeve dhe e turizmit”, deklaroi Guvernatori Sejko.

/ata.gov.al