Rritja më e lartë e net-qëndrimeve për 2022/ Shqipëria, me rikuperimin më të shpejtë të turizmit në Europë

9

Shqipëria po rezulton vendi që ka pasur ritmet më të larta të rikuperimit të turizmit në krahasim me periudhën e para pandemisë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat dhe të përpunuara nga “Monitor”, për 10-mujorin 2022 në vend u regjistruan gjithsej gati 3.6 milionë net-qëndrimet në akomodimet turistike, me një rritje prej 22.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Shifra është në kontrast të plotë me Bashkimin Europian, i cili gjatë së njëjtës periudhë shënoi rënie me 5.6% të net-qëndrimeve në njësitë akomoduese turistike.

Kjo është rritja më e lartë e net-qëndrimeve në Europë. Pas Shqipërisë, rikuperimin më të shpejtë e shënoi Serbia, me 21.3%, e ndjekur nga Danimarka, 12.3%, Islanda (5%), Holanda (4%), Norvegjia (2.5%) dhe Turqia me 1.2%.

Të dhëna të tjera të INSTAT, që janë të disponueshme deri në nëntor, tregojnë se hyrjet e turistëve të huaj shënuan një nivel rekord në 2022. Viti 2022 ka tejkaluar dukshëm vitin më të mirë turistik deri më tani që ishte 2019-a duke regjistruar në 11-mujor një rritje me 17% të numrit të vizitorëve. Për 11 mujorin në vend ka hyrë një numër rekord prej 7.1 milionë të huajsh.

Hyrja e më shumë të huajave ka ndikuar dhe në rritjen e ndjeshme të net qëndrimeve në akomodimet turistike./ Monitor