Rruga Qafë Plloçë-Qukës, ARRSH: Punime në Urën nr. 4 për shtresat asfaltike dhe muret mbajtëse

8

Në rrugën Qafë Plloçë-Qukës, një nga akset e rëndësishme nacionale dhe pjesë e Korridorit rrugor 8, vijon me ritme të larta puna në lotet 1 dhe 2.

Autoriteti Rrugor shqiptar bëri të ditur se “në kantierin e punimeve Qukës-Qafë Plloçë në Lotin 1 po punohet në Urën nr. 4 për shtresat asfaltike, për ndërtimin e mureve mbajtëse dhe për mbrojtjen dhe stabilizimin e skarpateve”.

Sipas ARRSH-së në km 19 deri në km 20 në Lotin 2, po punohet për ndërtimin e trasesë.

Projekti i rrugës Qukës-Qafë Plloçë është pjesë e Korridorit VIII, Tiranë-Korçë. Kjo rrugë, me rëndësi të veçantë për zhvillimin e vendit, bashkon Korçën dhe Tiranën, duke lidhur motorin kryesor të zhvillimit të vendit me polin lindor zhvillimor të saj.

Përfundimi i rrugës Qukës-Qafë Plloçë do i japë zhvillim më të madh jo vetëm këtij fshati por gjithë Mokrës, që spikat për natyrën me reliev piktoresk, mjaft atraktive për zhvillimin e agroturizmit dhe sporteve të natyrës.

Rruga mundëson lidhjen e bizneseve dhe prodhuesve në zonat e Korçës, Pogradecit, Librazhdit dhe Elbasanit me tregjet e tjera kryesore të vendit por zgjon gjithashtu potencialet për investime në agroturizëm.

Korridori rrugor do të shërbejë si një by-pass për qytetin e Pogradecit, duke forcuar potencialin turistik të tij, si një nga qendrat turistike të Shqipërisë juglindore.

Projekti i kësaj rruge, me rëndësi të veçantë për zhvillimin e vendit, është rikonceptuar tërësisht nga e para, me fokus ndërtimin e segmenteve rrugore që lidhin aksin nacional me fshatrat.

/ata.gov.al