Rrugëtimi i Dua Lipës; nga shtëpia me qira, në këngëtaren më të ndjekur në botë

95

Vetëm një vit më parë jetonte në një banesë modeste me qira, ndërsa sot dominon muzikën botërore: ky është thelbi i artikullit të “The Sun” kushtuar këngëtares shqiptare Dua Lipa, e cila u bë për të dytin vit radhazi artistja më e nominuar në “Brits Awards” për të dytin vit radhazi e të premten, iu kushtua dhe një figure dylli në Madame Tussauds të Londrës.

Të gjitha këto kur vetëm pak kohë më parë, 23 vjeçarja jetonte me familjen e saj në një banesë të ngushtë në Londër, thuhet në artikull. “The Sun on Sunday” ka kontaktuar me miqtë e këngëtares dhe ish-fqinjët e saj për të biseduar lidhur me rrugëtimin e jashtëzakonshëm të vajzës së refugjatëve nga Kosova drejt famës.

Një mikeshë e saj, Zana Veseli, të cilën Dua e njeh që fëmijë, ka pohuar per gazetën e njohur britanike se fama nuk e ka ndryshuar këngëtaren e bukur.

“Dua është personi i njëjtë që ka qenë gjithmonë. Gjatë gjithë jetës ka dashur të bëhet yll i muzikës pop. Është e mrekullueshme që po fiton aq shumë çmime”, citohet të ketë thënë ajo.

Më tej, “The Sun” tregon për largimin e familjes së Duas nga Kosova në vitin 1992, si pasojë e shtypjes së popullatës shqiptare nga regjimi serb, dhe rikthimin ne atdhe kur kengetarja ishte 11 vjec. Kater vjet me vone megjithatë ajo do te zhvendosej serish në Londër e në 2012-tën, do t’i bashkoheshin dhe të afërmit me të cilët jeton sot në një shtëpi luksoze në Kilburn të Londrës Veriore.