Saranda plot me turistë, kroçera luksoze “Ocean Majesty” sjell qindra francezë

28

Saranda, e konsideruar si një vendet më të bukura të rivierës shqiptare po vizitohet gjithnjë e më shumë nga turistët e huaj.

Në këto ditë vjeshte ku temperaturat i ngjajnë atyre të verës, portin e Sarandës dhe qytetin bregdetar e vizitoi një tjetër kroçerë me një kapacitet prej 470 pasagjerësh.

Kroçera “Ocean Majesty” me flamur portugez dhe me një kapacitet maksimal mbërriti sot në Sarandë, ndërsa turistët vizituan pikat turistike të Sarandës si Butrintin, Ksamilin, Syrin e kaltër, kalanë e Lëkurësit, Mesopotamin, etj.

Porti i Sarandës bën të ditur për ATSH-në se “kroçera vjen për herë të dytë gjatë këtij sezoni turistik në Sarandë, ndërsa pritet të vijë sërish gjatë kësaj periudhe”.

“Turistët në bordin e kësaj kroçere kanë qenë kryesisht francezë, rreth 424, ndërsa grupimi tjetër i turistëve kanë qenë më shtetësi belge, rreth 26 persona”, – thekson porti i Sarandës.