Sarandë, 2-8 shtator zhvillohet Festivali Ndërkombëtar i Filmit

251

Edicioni i pestë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “DEA OPEN AIR” do të ngrejë siparin më 2-8 shtator në qytetin bregdetar të Sarandës.

Shfaqjet “Open Air” do të organizohen në kinema Limani dhe kinema Bougainville. Në kinema Limani është planifikuar të organizohet ceremonia zyrtare e hapjes së këtij edicionit. Po aty do të ofrohen edhe dy programet kryesore të festivalit: programi i Filmit me Metrazh të Gjatë dhe programi i Filmit të Shkurtër.

Në kinema Bougainville do të organizohet edhe këtë vit programi “Miqtë e Kinemasë”, me shfaqje speciale filmash jashtë konkurrimit, si edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve të festivalit.

Numri i aplikantëve të DEA OPEN AIR ka ardhur në rritje nga viti në vit. Edhe edicioni i këtij viti konfirmon të njëjtën tendencë rritëse. Të gjithë aplikuesit dhe pjesëmarrësit e përzgjedhur kanë aplikuar në platformat Film Freeway dhe Festhome ose në rrugë të drejtpërdrejtë në adresën e festivalit.

Ata vijnë jo vetëm nga vendet europiane, por edhe më gjerë, çka i jep pjesëmarrjes një gjeografi ndërkontinentale. Filmat e paraqitur dhe autorët pjesëmarrës në konkurrim i janë nënshtruar fillimisht seleksionimit paraprak të komisioneve ndërkombëtare, të mbyllur në fund të muajit mars.