Sazani dhe Karaburuni të preferurit e të gjithëve, vërshojnë anijet turistike

20

Sazan-Karaburuni, i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë, që ndodhet në Vlorë, me një shtrirje detare rreth 1,9 km vitet e fundit është kthyer në një destinacion turistik, ku vizitorë të shumtë vendas e të huaj udhëtojnë me anijet turistike që nisen nga porti i Vlorës. Edhe këtë vit në qytetin e Vlorës anijet e vogla turistike të ankoruara në Portin Detar kanë nisur tashmë udhëtimet e para drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit.

Vetëm gjatë kësaj fundjave kanë udhëtuar drejt Sazan-Karaburunit mbi 600 turistë vendas e të huaj. Udhëtimi ma anije iu ofron mundësi reale turistëve për të vizituar parkun dhe ofruar një ditë ndryshe në gjirin e Vlorës.

Mjafton këtu të kujtojmë monumentin e natyrës, Shpellën e Haxhi Aliut (atraksioni më i vizituar nga turistët), gjiri natyror dhe kulturor i Gramës (skaji më i largët jugor i parkut detar), ishullin e Sazanit, atraksioni më i madh që prej hapjes së tij për publikun. Për të gjithë ata që dëshirojnë të kalojnë momente relaksi në natyrën dhe qetësinë, parku detar ofron me brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit, Gjirit të Djallit, eksperiencë natyrore unike. Në gjirin e vogël detar të Shën Vasilit, që ndodhet në pjesën e brendshme të gadishullit të Karaburunit, në faqen veriore të tij, natyra është treguar e pakursyer. Plazhi i virgjër dhe gjelbërimi kryesisht i ulët, përfaqësojnë një raport vlerash natyrore të pakrahasueshme.

Biodiversiteti, peizazhi dhe kultura e kësaj zone janë unikale për Mesdheun dhe për këtë arsye Parku prej vitit 2015 është pjesë e Zonave Veçanërisht të Mbrojtura në Mesdhe (SPAMI), sipas Konventës së Barcelonës.

Në të jetojnë të paktën 36 lloje detare, të cilat janë me rëndësi ndërkombëtare dhe që i përkasin listave të llojeve të rrezikuara. Në shkallë kombëtare, rreth 75% e llojeve të rrezikuara të kafshëve detare, janë regjistruar në zonë. Ky park është korridori më rëndësishëm i specieve si breshka e detit, foka e Mesdheut, delfinë, si edhe peshkaqenë.