Sektor konkurrues i qumështit, FAO trajnon veterinerët e rinj në 3 rajone

0
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) në kuadër të projektit “Mbështetje për zinxhirin e vlerës së qumështit për një sektor më konkurrues dhe gjithëpërfshirës” po mbështet fuqizimin e ‘zinxhirëve të vlerës’ së qumështit në Shqipëri.
Projekti synon forcimin e dijeve të veterinerëve të përzgjedhur, të moshës nën 40 vjeç, përmes sesioneve të trajnimit gjithëpërfshirëse dhe demonstrimeve në fermë.
Projekti po shënjestron tre ferma të vendosura në Milot, Terbuf-Lushnje dhe Libonik-Maliq të cilat shërbyen si mjedise praktike për programin, duke theksuar praktikat më të mira të menaxhimit në riprodhimin e qumështit.
Aktivitete kryesore, të drejtuara nga eksperti kombëtar i prodhimit të qumështit, në partneritet me Urdhrin Profesional të Mjekut Veterinar, dhe me Prof. Luigj Turmalaj nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, u fokusuan mbi zbatimin e praktikave më të mira dhe qasjeve inovative në zbulimin e hershëm të shtatzënisë në lopët qumështore.
Gjithashtu, u përfshinë prezantime teorike mbi tema vendimtare si rëndësia e diagnostikimit të shëndetit të kafshëve, ndërsa u kryen demonstrime në fermë.
Artan Xhafa, Eksperti Kombëtar i Prodhimit të Qumështit, theksoi angazhimin e veterinerëve të kualifikuar në aktivitetet e projektit për menaxhimin e riprodhimit të qumështit. “Kjo përpjekje bashkëpunuese është thelbësore për nxitjen e një sektori më konkurrues dhe gjithëpërfshirës të qumështit në Shqipëri. Duke pajisur veterinerët me teknika të avancuara, ne po sigurojmë qëndrueshmërinë dhe suksesin afatgjatë të zinxhirit të vlerës së qumështit”, tha ai.
/ata.gov.al