Sektori i agrobiznesit/ Rriten financimet në Shqipëri

117

BERZH dhe qeveria shqiptare mbështesin portofolin e kredive deri në 35 milionë euro për hua në sektorin e agrobiznesit duke ndarë riskun me partnerin e saj Raiffeisen Bank Albania. Programi gjithashtu siguron Mbulimin për Humbjet e Para, një kontribut i qeverisë shqiptare.

Agrobiznesi është një sektor shumë i rëndësishëm i ekonomisë shqiptare pasi siguron punësim për rreth 50 për qind të popullësisë në zonat rurale dhe përbën rreth 20 për qind të GDP së vendit. Pavarësisht kësaj, ai mbetet pak i  shërbyer nga institucionet financiare, huatë për këtë sektor zënë vetëm 2% të portofolit të kredive në ekonomi.

I prezantuar nga BERZH dhe qeveria shqiptare në vitin 2016, Programi për Mbështetjen e Agrobiznesit në Shqipëri synon adresimin e këtij problemi duke përmirësuar mundësitë për financim për agrobizneset vendase përmes huave të dedikuara për sektorin ose ndarjes së riskut të kredive. Raiffeisen Bank Albania është partneri i pestë i BERZH që i bashkohet programit.

BERZH ka investuar 1, 3 miliardë euro në 87 projekte në Shqipëri me fokus në zhvillimin e sektorit privat, rritjen e frymës së sipërmarrjes në ekonomi, përmirësimit të infrastrukturës dhe burimeve të energjisë dhe investimeve të gjelbra. Në vitin 2018, investimet totale të BERZH në Ballkanin Perëndimor arritën shifrën e 1 miliardë euro.