Sezoni turistik, nga sot kufizime në fundjavë dhe gjatë festave në qarkullimin e mjeteve

24

Policia e Shtetit njoftoi sot se duke filluar nga dita e sotme, deri më datë 15 shtator, gjatë fundjavës dhe ditëve të festave, do të ketë kufizime për të gjitha kategoritë e mjeteve rrugore në qarkullim.

Kufizimet janë marrë në kuadër të masave të ndërmarra për mbarëvajtjen e sezonit turistik 2023, si dhe për monitorimin e qarkullimit rrugor drejt zonave bregdetare dhe turistike, me qëllim krijimin e lehtësirave për lëvizjen e qytetarëve dhe të shtetasve të huaj që zgjedhin vendin tonë, si dhe në zbatim të udhëzimit të përbashkët “Mbi kufizimin e qarkullimit të mjeteve të rënda për transport rrugor të mallrave, gjatë sezonit turistik dhe gjatë festave”.

Kufizimet janë:
• Mjetet rrugore për transportin e mallrave me peshë të përgjithshme të autorizuar, mbi 7500 kg;
• Mjetet rrugore me ngarkesë të pandashme, me gjatësi maksimale më të madhe se 12 m (transporte me mjete jashtë norme ose transporte në kushte jonormale);
• Mjetet rrugore bujqësore që kanë shpejtësi më të vogël se 40 km/orë;
• Mjetet rrugore që kalojnë përmasat kufitare, sipas nenit 61 të Kodit Rrugor;
• Mjetet rrugore që shërbejnë për kursantët e autoshkollave mësimore.
Kufizimet e lëvizjes përfshijnë akset e mëposhtme:
•“PKK Muriqan-Shkodër” dhe anasjelltas; “PKK Hani i Hotit-Shkodër” dhe anasjelltas, “Plazhi i Zogajt-Shkodër” dhe anasjelltas, “Plazhi i Shirokës-Shkodër” dhe anasjelltas, “Plazhi i Velipojës-Shkodër” dhe anasjelltas;
•”Shkodër-Lezhë”, “Lezhë-Shëngjin”, “Lezhë-Patok” dhe anasjelltas;
•”Durrës-Tiranë”, “Durrës-Gjiri i Lalëzit”, “Durrës-Currila”, “Durrës-Kavajë”, “Kavajë-Plazhi i Gjeneralit”, “Kavajë-Spille”, “Kavajë-Kthesa e Divjakës-Lushnjë” dhe anasjelltas;
•”Lushnjë-Fier”, “Fier-Seman”, “Fier-Plazhet e Poros” dhe anasjelltas;
•”Vlorë-Palasë-Dhërmi-Vuno-Himarë-Qeparo-Borsh-Bunec-Sarandë” dhe anasjelltas;
•”Sarandë-Butrint”, “Elbasan-Pogradec”, “Elbasan-Rrogozhinë” dhe anasjelltas;
•”Qafë Thanë-Lin-Pogradec-Tushemisht” dhe anasjelltas;
•”Tepelenë-Gjirokastër-Kakavijë” dhe anasjelltas;
•”PKK Morinë-Kukës-Milot-Durrës-Lezhë” dhe anasjelltas;
•”PKK Qafë Morinë-Bajram Curri” dhe anasjelltas.
Këto kufizime lëvizjeje parashikohen në ditët dhe në oraret si më poshtë:
•Të premten, nga ora 15:00-22:00;
•Të shtunën, nga ora 08:00-12:00 dhe nga ora 16:00-22:00;
•Të dielën, nga ora 07:00-22:00.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve dhe subjekteve që preken nga kufizimet e sipërpërmendura, që të zbatojnë me korrektesë masat kufizuese, me qëllim krijimin e lehtësirave të nevojshme për pushuesit vendas dhe ata të huaj, gjatë sezonit turistik 2023.
/ata.gov.al