Sezoni turistik solli 560 milionë euro shtesë në llogaritë bankare në Shqipëri

18

Sezoni turistik i këtij viti ka sjellë 560 milionë euro shtesë në sektorin bankar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për periudhën mes fillimit të muajit qershor dhe fundit të muajit shtator, totali i depozitave bankare në euro ka shënuar një rritje të fortë, me pothuajse 10%. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shtesa e depozitave bankare në euro është rreth 4.3% më e lartë.

Rritja më e lartë ka ardhur gjatë muajit gusht, periudhë që zakonisht përfaqëson edhe pikun e sezonit veror. Në gusht, depozitat bankare u rritën me 257 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër e rritjes ishte e shpërndarë mes muajve të tjerë.

Rritja e depozitave bankare dhe sidomos atyre në valutë në muajt e verës është një fenomen i lidhur kryesisht me prurjet nga turistët e huaj dhe pjesërisht nga emigrantët shqiptarë që kthehen në Shqipëri për pushime.

Rritja e ndjeshme e depozitave bankare në euro mund të jetë një tjetër tregues i tërthortë i sezonit pozitiv turistik për këtë vit. Për nëntë muajt e parë të vitit, hyrjet e shtetasve të huaj janë rritur me 32% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.