Sfungjeri bimor i prodhuar në fushat e Beratit është produkti më i ri që po fiton terren në tregun europian nën markën “Made in Albania”.
Kultivimi i sfungjerit natyral, i cili zëvendëson sfungjerin sintetik, është bërë i mundur falë iniciativës së inxhinierit Rakip Belishaku nga Kuçi i Beratit.
Ky produkt që po tregtohet nën markën “Rinora”, falë edhe bashkëpunimit me një kompani gjermane, po fiton terren edhe në tregun europian nën etiketën “Made in Albania”.
Sfungjeri bimor po prodhohet në Shqipëri nga një bimë e rrallë aziatike dhe konsiderohet një produkt miqësor me mjedisin dhe natyrën.
Sfungjeri bimor prodhohet nga bima e luffa-s, e cila origjinën e ka nga Azia. E ngjashme me kungullin, kur fruti i saj është i njomë mund të konsumohet për gatim, ndërsa kur thahet krijon një fibër, e cila shërben si sfungjer natyral.