Shalqinjtë shqiptarë, produkti më i kërkuar në Europë/ 500.8 milionë usd eksportet bujqësore, shesim në 78 shtete të botës

4

Viti 2022 ka qenë i mbarë për prodhuesit të cilët kanë lidhur kontrata eksporti me vendet e Evropës dhe Rajonit, pasi ka pasur një rritje të ndjeshme në vlerë dhe në sasi. Referuar shifrave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, eksportet bujqësore të shtrira në 78 shtete të botës, në vlerë u rriten me afro 50 milionë dollarë gjatë vitit që lam pas, krahasuar me 2021-shin.

Konkretisht nga 450 milionë dollarë produkte që u eksportuan në 2021,  përgjatë 2022-shit vlera arriti  në 500.8 milionë dollarë, me një rritje prej 11,2 %. Nëse do ti referohemi në sasi, nga 360.7 mijë tonë në vitin 2021, gjatë vitit që lam pas produktet e eksportuara u regjistruan në 416.8 mijë ton, me një rritje prej 15.5 %. Por cilat ishin produktet më të kërkuar nga tregjet europiane?

Sipas shifrave zyrtare, produktet më të eksportuara sipas sasisë janë pjeprat dhe shqalqinjtë me 18.4%, ndjekur nga domatet, trangujt,  agrumet, zarzavatet e tjera, bimët aromatike dhe medicinale si dhe frutat. Nderkohe produktet më të eksportuara në vlerë janë bimët medicinale dhe aromatike me 23.8% të eksporteve të kategorisë bujqësore, domatet me 15.6%, kastravecat me 12,1% dhe zarzavatet e tjera me 11%.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, faktorët që kanë ndikuar në rritjen e prodhimit janë puna e fermerëve pavarësisht një viti të veshtirë, rritja e ndjeshme e masave mbështetese nga buxheti shtetit si dhe shtimi i pikave te grumbullimit dhe eksportit.

Ministria bën me dije se përmes Skemës Kombëtare, ka mbështetur me financim fermerët për uljen e kostove të prodhimit duke alokuar 5.1 miliardë lekë dhe mbështetur drejtpërdrejt rreth 48 mijë fermerë. Gjithashtu nëpërmjet programit IPARD vetëm në vitin 2022 janë investuar 19 milionë euro rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese për bujqësinë shqiptare./ScanTV