Shell, nis shpimin në pusin Shpirag 3

284

big_shell_shpirag

Shpimi i pusit të ri, Shpiragu-3, do të realizohet me sondën e instaluar të kompanisë kineze Hi Long. Pusi do të jetë i thellë dhe për shkak të komplikacioneve gjeologjike që paraqet zona, do të zgjasë më shumë se një vit (437 ditë) dhe kostoja e tij është parashikuar të shkojë rreth 72 milion USD.

SHELL është në fazën e kërkimit në blloqet 2 dhe 3. Kompania ka përmbushur me sukses të gjitha detyrimet e parashikuara nga marrëveshja. Ka kryer ripërpunimin e sizmikës ekzistuese, ka kryer një volum prej 550 km profile të reja sizmike si dhe shpoi pusin Shpiragu-2. Në përfundim të shpimit dhe testimit të pusit, kompania deklaroi, në datë 4 Nëntor 2013, se ka bërë një zbulim në pusin Shpiragu-2. Ky pus dha naftë me cilësi shumë të mira fizike dhe një debit 800-1300 fuçi/ditë ndërsa 45,000-50,000 m3/ditë gas shoqërues dhe përmbajtje të ulët H2S.

SHELL, gjithashtu ka realizuar edhe shpimin e pusit Molishti-1, i cili dha informacion në lidhje me zhvillimin strukturor të brezit të Beratit si dhe rriti perspektivën e zonës, përsa i përket naftëgazmbajtjes më në jug të Shpiragut-2. Punimet sizmike të kryera në këto blloqe dhe interpretimi i tyre gjeologjik kanë hedhur dritë dhe e kanë shtuar perspektivën e zonës edhe më në jug të pusit të Molishtit. Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, investimet e kryera deri tani në kuadër të kësaj marrëveshje hidrokarbure arrijnë në rreth 270 milion USD.

Pas deklarimit të zbulimit, kompania paraqiti një Plan-Vlerësimi i cili ka si objektiv të provojë komercialitetin zbulimit të deklaruar në pusin Shpiragu-2. Ky Plan Vlerësimi vazhdon të zbatohet nga kompania edhe sot. Në kuadër të këtij Plani, kompania do të shpojë disa puse, ku një ndër ta është edhe shpimi i pusit Shpiragu-3, për të cilin u zhvillua sot ceremonia e nisjes së punës.