Shembulli i studentes vullnetare në Urën Vajgurore që u vjen në ndihmë familjeve

44

Mjekët, infermierët dhe i gjithë personeli mjekësor janë në vijën e parë të luftës së egër ndaj COVID-19 ndërsa çdo ditë e më shumë të rinjtë po angazhohen  duke kontribuar vullnetarisht në shpërndarjen e ndihmave tek familjet në vështirësi ekonomike.

Një shembull i tillë është edhe Kamela Mule, studente e vitit të tretë në degën Anglisht në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë, e cila i është përgjigjur thirrjes për t’iu bashkuar grupit të vullnetarëve në bashkinë e Urës Vajgurore.

Menjëherë pas vendimit të qeverisë për të mbyllur shkollat dhe auditorët e fakulteteve, ajo u kthye në vendlindjen e saj, për të qëndruar atje disa ditë, në pamundësi për të parashikuar vijimësinë e situatës, ku shkollat nuk do të hapeshin më deri në një vendim të dytë.

Ajo zgjodhi që krahas ndjekjes së mësimit online, një pjesë të kohës së saj t’ia kushtonte edhe qytetit. Ajo u bë pjesë e grupit vullnetar të shpërndarjes së ndihmave për familjet në nevojë.

“Vendosi t’i bashkohem thirrjes për të kontribuar vullnetarisht në shpërndarjen e ndihmave për familjet në nevojë sepse në situata të tilla, kaq shumë të vështira, në të rinjtë duhet të jemi të parët që të tregohemi solidarë me njëri-tjetrin, veçanërisht për pensionistët e vetmuar, familjet që kanë vështirësi ekonomike por edhe të moshuarit të cilët nuk kanë pranë të afërmit e tyre. Që prej fillimit, kur nisi operacioni humanitar, kemi trokitur në çdo derë në bazë të një liste me emra, ku përfshiheshin familje që kanë më shumë nevojë për ndihmë dhe jam pothuajse çdo ditë e angazhuar në këtë gjë. Gjatë kohës që kam shpërndarë dhe jemi në proces angazhimi çdo ditë, nuk gjej fjalë për të përshkruar kënaqësinë time, si një e re që u vjen në ndihmë gjyshërve tanë por edhe atyre që vuajnë për shkak se nuk kanë mundësi ekonomike të mira”-tha ajo.