Shërbim dentar për nxënësit e shkollave edhe në zonat rurale

5

Klinika Stomatologjike e Lëvizshme është ndalur në shkollën “Sulejman Daçi”, në Bubq të Fushë-Krujës, ku ka vijuar programi i kujdesit për dhëmbët për nxënësit e shkollave.

Dy klinikat stomatologjike të lëvizshme do të mundësojnë që edhe në zonat rurale, aty ku nuk ka një kabinet dentar të instaluar në shkolla, të kryejmë depistime, por edhe trajtime sa i përket kujdesit ndaj dhëmbëve me aparatura bashkëkohore.

Ministria e shendetesise njofton se deri tani “Kemi arritur të kemi mbi 114 mijë depistime për sa i përket këtij programi dhe rreth 10% e fëmijëve janë referuar tek mjeku specialist, për të garantuar që të kemi dhe një korrektim të problematikave të hershme të fëmijëve që ato shfaqin, nëpërmjet depistimit të hershëm që po kryhet në shkolla”.

Klinikat Stomatologjike të Lëvizshme janë të pajisura me pajisje të fjalës së fundit të teknologjisë dhe do të shërbejnë si kabinete dentare të lëvizshme për nxënësit e shkollave, kryesisht në zonat rurale dhe ato periferike.

Përgjatë viteve 2021-2022 Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka investuar në strukturat e kujdesit të arsimit parauniversitar me 19 njësi të reja dentare, ku 10 prej tyre u instaluan në Tiranë dhe të tjerat në tre qarqe, Elbasan, Durrës dhe Shkodër.

Edhe këtë vit, MSHMS do të vijojë investimet në shkolla për të zgjeruar bazën e njësive dentare me unite të reja në të gjithë Shqipërinë.