Shifra frymëzuese, ja sa fëmijë shqiptarë kanë lindur në Itali gjatë një viti

134

Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Statistikave Italiane, nga 458.151 fëmijët e lindur gjatë 2017-tës, 9,823 kanë të paktën njërin prind shqiptar. Këto shifra bëhen publike nga raporti më i fundit i publikuar nga Instituti i Statistikave Italiane. Ndërsa në Itali bëhet fjalë për rreth 10 mijë lindje, në total në Shqipëri në të njëjtin vit janë regjistruar mbi 30 mijë lindje.

Më në hollësi, nga raporti shihet që 7,273 fëmijë të sapolindur i kanë të dy prindërit shqiptarë (ishin 7,278 fëmijë në vitin 2016 dhe 7,830 në 2015-tën), 698 kanë babanë shqiptar e nënën italiane (kundrejt 921 rasteve të vitit 2016 e 872 të vitit 2015) dhe 1,852 kanë nënën shqiptare dhe babanë italian (ishin 1,683 të lindurit gjatë 2016-tës e 1,427 të 2015-tës).

Në Itali, sipas të dhënave nga Ministria italiane e Punës dhe Çështjeve Sociale, që i referohen fillimit të vitit 2018 kishte rreth 442 mijë emigrantë shqiptarë me leje të rregullt qëndrimi. Ndërsa janë dhe 148 mijë të tjerë që kanë marrë që prej vitit 2002 nënshtetësinë italiane, pra në total rreth 590 mijë.