Shifra rekord e bimëve mjekësore që u prodhua në Shqipëri vitin e kaluar

35

Viti 2020, megjithëse vit i vështirë si pasojë e COVID-19, ka qenë pozitiv për sektorin e bimëve mjekësore në vendin tonë, ku u prodhua rreth 14 mijë tonë bimë mjekësore.

Tregu i mbledhjes dhe kultivimit të bimëve aromatike dhe mjekësore në vendin tonë është rritur ndjeshëm. Nga 30 milionë dollarë që llogariten në vitin 2014, ky treg llogaritet 50 milionë dollarë në fund të vitit 2020.

Më shumë se 95 % e totalit të bimëve të mbledhura, eksportohen. Ndërkohë 3/4 e sherebelës së importuar nga SHBA është me origjinë nga Shqipëria

Bimët mjekësore dhe aromatike (BMA-të) janë një sektor tradicionalisht i orientuar nga eksporti, me tregje të zhvilluara dhe potencial të mirë për rritje.

Shqipëria bën pjesë në grupin e 25 eksportuesve kryesorë të BMA-ve në botë. Eksporti i BMA-ve arrin gati 20 % të totalit të eksporteve bujqësore të Shqipërisë.

Produktet më të rëndësishme të eksportit janë sherbela, rigoni, trumza, livando,
etj. Është regjistruar një fluks i vogël, por në rritje i eksportit të vajrave esenciale, si edhe një rritje e kapacitetit përpunues në vend.

Baza e prodhimit përbëhet kryesisht nga BMA-të e egra që gjenden në të gjithë vendin.
Biodiversiteti i pasur në Shqipëri përfaqëson një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e sektorit të BMA-ve. Më shumë se 400 specie janë identifikuar si BMA të florës shqiptare, nga të cilat më shumë se 200 specie mblidhen dhe tregtohen.

BMA-të janë një sektor i rëndësishëm i ekonomisë rurale. Sondazhet tregojnë se në disa zona rurale pothuajse të gjitha familjet marrin një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të tyre nga grumbullimi i BMA-ve.