Numri i shtetasve të huaj që hynë në Shqipëri gjatë vitit 2021 ishte 5.688.649, duke shënuar një rritje me 2.1 herë, në krahasim me vitin 2020.
Sipas treguesve të publikuar nga INSTAT gjatë vitit 2021, Polonia ka pasur rritjen më të madhe të turistëve që kanë hyrë në vendin tonë, me 4.6 herë më shumë; Spanja me 4.5 herë dhe SHBA me 3.9 herë, krahasuar me vitin paraardhës.
Sipas INSTAT në dhjetor 2021, numri i shtetasve të huaj që hynë në territorin shqiptar ishte 267.409. Krahasuar me dhjetorin 2020, ky numër është rritur me 47.9 %.
Ndërsa në vitin 2019, kujtojmë se në Shqipëri erdhën 6.406.038 shtetas të huaj.
Ndërkohë, numri i shtetasve shqiptarë që dolën nga territori i Shqipërisë në vitin 2021 është 4.190.786, me një rritje 44.2 %, krahasuar me vitin e mëparshëm.