Shifrat e INSTAT/ Dyfishohen eksportet e perimeve dhe frutave

24

Eksporti i perimeve dhe frutave u rrit gjatë muajit janar 2021, në vlerën totale prej 451 milionë lekë nga 203 milionë lekë që ishin në të njëjtën periudhë vitin e kaluar, bëri të ditur INSTAT.

Muaji janar është përgjithësisht me shifra më të reduktuar të eksportit bujqësor, pasi përfundon prodhimi sezonal. Por ky vit, ka shënuar rritje të ndjeshme të prodhimit dhe eksportit për perimet e dimrit si preshit dhe lakrës në vendet e BE-së.

Sipas ekspertëve nxitja e eksporteve bujqësore i adresohet përmirësimit të zinxhirit të tregtisë, ku impakt kryesorë kanë dhënë investimet në magazinimin dhe dhomat frigoriferike që po çojnë në eksporte gjithë vjetore të prodhimit bujqësorë, pavarësisht sezonalitetit.

Gjatë vitit 2020 eksportet e frutave dhe perimeve të prodhuara në vend arritën vlerën e 10,4 miliardë lekëve ose 84 milionë eurove.

Sipas INSTAT, eksportet e perimeve arritën vlerën 7.8 miliardë lekë të përfaqësuara nga rritja e kontratave me jashtë për shitjen e domates.

Ndërkohë eksportet e frutave dhe perimeve janë zgjeruar dukshëm gjatë 10 viteve të fundit. Vlera e tyre është katërfishuar nga viti 2013, ku vlera e tyre ishte 2,8 miliardë lekë, duke arritur vlerën e 10.4 miliardë lekëve në vitin 2019.

Rritja e prodhimit bujqësor vendas të qëndrueshëm ka sjellë përmbysje të shifrave për eksport/importet bujqësore duke iu afruar barazvlefshmërisë së këtij raporti me perspektivë rritjen e eksporteve made in Albania dhe uljen e importeve.

INSTAT bën të ditur se, vitin e kaluar janë importuar 9.4 miliardë lekë ose rreth 77 milionë euro fruta dhe zarzavate nga jashtë vendit.