Shifrat e INSTAT, Italia vendi me të cilën është ndjerë rritja më e madhe e eksporteve

67

Marsi ka sjellë pranverën edhe për partneritetin tregtar mes Shqipërisë dhe Italisë. Sipas të dhënave të INSTAT, Italia është vendi me të cilën është ndjerë rritja më e madhe e eksporteve, në krahasim me mars 2020. Konkretisht, bëhet fjalë për një rritje me afro 84%. Thënë ndryshe, në mars Shqipëria eksportoi mallra në vlerë 13.1 miliardë lekë drejt Italisë; 5.9 miliardë lekë më shumë se për të njëjtin muaj të vitit paraardhës.

Nga ana tjetër, importet nga Italia duket se po njësoj kanë filluar “të marrin frymë”. Referuar INSTAT, në mars 2021, Shqipëria ka importuar mallra në vlerë 17.7 miliardë lekë nga vendi fqinj. Ndërkaq, për të njëjtën periudhë të një viti më parë, kjo vlerë rezultonte 10.8 miliardë lekë. Nga një panoramë e përgjithshme, në rikthimin në normalitetin para – pandemik midis Shqipërisë dhe Italisë (eksportet), pikët kryesore vijnë nga tekstilet dhe këpucët, ushqimet, pijet, duhani, si dhe materiale ndërtimi, metale.