SHIFRAT/ Eksportet shqiptare tejkalojnë vitin para pandemisë

19

Eksportet e mallrave arritën vlerën prej 2.18 miliardë euro, ose 266 miliardë lekë gjatë nëntëmujorit të parë të këtij viti. Referuar statistikave qeveritare, eksportet shqiptare shënuan rritje me 36,5 % krahasuar me vitin 2020 dhe 18 % krahasuar me nëntëmujorin e 2019-ës.

Sipas të dhënave, grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë materialet e ndërtimit dhe metalet me 14,3 %, mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike me 11,6 % dhe tekstilet dhe këpucët me 3,5 %.

Eksportet e mallrave shënuan rritje edhe krahasuar me vitin 2019 periudhë kjo që përkon para pandemisë së virusit Sars-Cov-2. Në nëntëmujorin e parë të vitit 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 225 miliardë lekë.

Eksportet e grupit material ndërtimi dhe metale shënuan rritje 56 % krahasuar me 2019 duke arritur vlerën prej 56,3 miliardë lekësh. Ndërkohë grupi i mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike shënoi rritje me 39 % krahasuar me 2019, duke arritur vlerën prej 50,9 miliardë lekësh, ndërsa grupi i ushqimeve, pijeve dhe duhanit shënoi rritje me 25 % krahasuar me 2019 duke arritur vlerën prej 31,7 miliardë lekësh.

Edhe importet e mallrave arritën vlerën 4,6 miliardë euro ose 555,6 miliardë lekë, duke u rritur me rreth 30 %, krahasuar me një vit më parë.

Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve, janë makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 7,8 %, materiale ndërtimi dhe metale me 4,7 % dhe minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 4,6 %.

Importi i makinerive dhe pajisjeve, një tregues direkt i investimeve në ekonomi shënoi rritje me 26 %, krahasuar me 2019-ën duke arritur në 123,7 miliardë lekë.