Shifrat/ Fluks turistësh në Parkun Kombëtar Arkeologjik të Apolonisë

30

Gjatë muajit gusht në Parkun Kombëtar Arkeologjik të Apolonisë është arritur një numër vizitorësh 20% më i lartë se e njëjta periudhë e vitit 2019, që ka qenë edhe viti më i mirë për turizmin shqiptar.

Konkretisht, në muajin gusht parkun e Apolonisë e vizituan 9704 persona. Kjo shifër shënon një rritje prej 20% krahasuar me muajin gusht 2019, kur Apolonia u vizitua nga 8031 persona.

Apolonia në Fier është një nga sitet më të mëdhenj të Shqipërisë, por edhe një nga qytetet më të mëdhenj në botën antike. Ajo është një nga vlerat e perlat e trashëgimisë tonë arkeologjike. Janë 36 Apoloni në pellgun e Mesdheut dhe Apolonia e Ilirisë është më e madhja.

Apolonia është themeluar rreth fillimit të shek të VII para Krishtit. Gjurmët më të hershme i kemi prej fisit ilir të Taulantëve që jetonte në këto territore. Bashkëjetesa e këtyre të fundit me kolonët Korkyras solli themelimin e qytetit të Apolonisë në shekullin e VII p. Krishtit.

Me interes të madh për vizitorin në Apoloni janë monumenti i Agonotetëve, Odeoni, Biblioteka, muri rrethues, vila me impluvium, vila romake me mozaikë, muzeu arkeologjik, Kisha e Shën Mërisë.