Shifrat/ Gratë pronare mbizotërojnë në bizneset e vogla në Shqipëri

120

Në vitin 2016, përqindja e pronareve/administratoreve gra është 26,8%, sipas INSTAT. Përqindja e grave pronare apo administratore në ndërmarrjet e vogla (1-4 të punësuar) është më e lartë se në kategoritë e tjera.

Nga viti 2006 deri në vitin 2016, përqindja e pronareve/administratoreve gra është rritur në të gjitha kategoritë, me rritjen më të madhe në ndërmarrjet me 1-4 të punësuar.

Ndërkohë që në kategorinë e bizneseve me 5 deri në 9 punëtorë, kemi një rritje me gati dyfish të numrit të grave administratore, ose pronare në pesë vitet e fundit. Numri i pronareve gra ose administratore në bizneset me aktivitet ekonomik prodhues ka pasur rënie prej 3% në pesë vitet e fundit, ndërsa te sektori i shërbimeve është rritur me 4%.

Në 2016, sipas shpërndarjes së ndërmarrjeve me pronare apo drejtuese gra me qarqe, vëmë re se në Qarkun e Tiranës, kemi përqendrimin më të madh të ndërmarrjeve. Ndërmarrjet që zotërohen apo drejtohen nga burrat në 2016, të përqendruara më shumë në Qarkun e Tiranës sërish kanë pasur rënie nga 39,3% në 27,93%, gjithashtu ka pasur dhe një rënie rreth 3% për gratë në Qarkun e Tiranës, krahasuar me vitin 2011.

Ndërmarrjet e reja në vitin 2016 janë të përqendruara kryesisht në Tiranë. Kjo vlen si për ndërmarrjet e zotëruara apo drejtuara nga gratë, ashtu edhe nga burrat. Kukësi mbetet qarku më i ulët me ndërmarrje të reja me pronare/administratore gra për vitin 2016.