Shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Evropian zënë 60.2 %, të gjithë tregtisë.
Sipas raportit të publikuar nga INSTAT mbi tregtinë e jashtme, në periudhën janar – qershor 2022, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 73.3 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 52.8 % të importeve gjithsej.
INSTAT bën të ditur se, partnerët kryesorë tregtarë janë Italia me 31.4 %, Turqia me 8.4 %, Greqia me 6.8 % dhe Gjermania me 6.6 %.
Në këtë gjysmë të parë të vitit, eksportet e mallrave arritën vlerën 253 miliardë lekë, duke u rritur me 43.3 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 446 miliardë lekë, duke u rritur me gati 26 %, krahasuar me një vit më parë.
Deficiti tregtar arriti vlerën 193 miliardë lekë, duke u rritur me 8.7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021.