Shkencëtaret Detina dhe Argita Zalli, dy binjaket shqiptare të Harvardit

103

Historia e dy vajzave shqiptare që nga emigrante  të jashtëligjshme arritën të bëhen shkencëtare e pedagoge. 

Detina dhe Argita Zalli, kërkuese shkencore në Universitetin e Oksfordit, në një intervistë rrëfejnë për jetën dhe karrierën e tyre të suksesshme në Mbretërinë e Bashkuar.

Motrat shqiptare kanë qenë shumë aktive gjatë periudhës së pandemisë duke ofruar informacione dhe këshilla për anëtarët e Diasporës. Vajzat kanë folur në “Vizioni i Pasdites”.

“Ndjehemi shumë rehat, shumë komode, sepse na përket, kemi shumë pasion për këtë punë që bëjmë si në profesionin e shkencës dhe të mjekësisë dhe në atë të lektores. E adhurojmë punën tonë. E quajmë veten me fat që kemi një punë që nuk e konsiderojmë punë po pasion. Për më tepër kemi njëra-tjetrën që nuk mund të ndahemi dhe mund të punojmë bashkë. Kjo është një gjë shumë e bukur për dy motra që të punojnë në universitete të ndryshme dhe të kenë të njëjtën pasion”, thotë Argita.

“Në fakt gjithmonë kur kam ndonjë pyetje personi parë që më shkon në mend të pyes është Argita. Ndonjëherë më këshillon e ndonjëherë më kritikon. Po gjithsesi falemniderit zotit që e kam sepse bashkë kemi forcë dhe falë njëra-tjetrës kemi arritur ku jemi sot”, shprehet Detina.

Por rrugëtimi i tyre nuk ka qenë aspak i lehtë, teksa u larguan në vitin 1999 me familjen në mënyrë ilegale drejt Anglisë, kur ishin vetëm 13 vjeç. Ato thonë se kanë punuar çfarëdo lloj pune për të ndihmuar prindërit e tyre.

“Jemi larguar që në vitin 1999, kemi mbërritur në Angli në një udhëtim të vështirë. Ne nuk e dinim sepse na ishte thënë ndryshe. Na thanë që do shkonim me avion. Do iknim nga Rinasi e do ishte gjithçka shumë në rregull”, thotë Detina.

“Kemi pasur peripecitë tona si gjithë shqiptarët, sepse kjo është histori e të gjithë shqiptarëve jo vetëm e jona. Ajo që dëshirojmë të theksojmë është se kur je fëmijë në atë moshë, në moshën 13-vjeçare siç ishim dhe neve në Shqipëri kishim ëndrra të mëdha, të largoheshim nga vendi për një të ardhme të bukur, por harronim që ai vendi i bukur për ne ishte Shqipëria ku kaluam të gjithë fëmijërinë tonë. Ndërsa kur erdhëm në Angli situata ndryshoi brenda 24 orëve, u kthyem në të rritur, morrëm përgjegjësi të mëdha, duke qenë përkthyes për prindërit tanë, për çështje avokatësh apo spitale”, rrëfen Argita.

“Kemi punuar që në moshën 13-vjeçare për të ndihmuar prindërit tanë pasi situata jonë në Angli nuk i dihej dhe mund të ktheheshim në Shqipëri përsëri. Nuk dihej fare, gjithçka ishte e paqartë dhe për të ardhur në Angli kishim marrë shumë borxhe se udhëtimi kushtoi shtrenjtë dhe donim të gjenim një mënyrë për të ndihmuar prindërit tanë. Ne kemi bërë çdo lloj punësh të them të drejtën. Puna e parë ka qenë kamariere për disa studentë që vinin nga Spanja në Angli, moshatarët tanë. Pastaj kemi punuar për të ndihmuar moshatarët me çdo lloj mënyre dhe aty lindi dëshira jonë për të studiuar mjekësi për të ndihmuar të tjerët, kemi punuar si asistente infermiere në një spital ku shumë persona nuk e dinin cila ishte kush dhe na ngatërronin gjithmonë”, vijon më tej Detina.

Vajzat sot janë të dyja të martuara dhe kanë secila nga dy fëmijë djem. Jetojnë afër njëra-tjetrës dhe janë të pandara.

“Bashkëshortët janë shqiptarë që jetojnë në Londër, jetojmë shumë afër. Çunat tanë të vegjël janë në të njëjtën kopësht se janë moshatar. Shpesh herë thonë janë binjakë këta. Duhet tu shpjegojmë se nuk janë ata po jemi ne”, thotë Argita.

Ato kanë një mesazh për të gjithë të rinjtë. “E vetmja gjë që mund ti them është të mos dorëzohen kurrë po dhe të punojnë fort. Flini me ëndrra dhe zgjohuni me qëllime”, thotë Detina.

“Për të mbështetur mesazhin e Detinës të gjitha ëndrrat e mëdha janë të vështira, ndryshe nuk do ishin ëndrra të mëdha. Prandaj ëndërroni”, u shpreh Argita.